SHARE

MË MIRË T’MOS MË DUASH…

Më mirë ti t’mos më duash si unë ty
Se s’mund ta dish ç’ti ndodh zemrës pastaj
Bëhet ajo erë, s’e ke brenda vetes aty
Dhe s’di si të rrosh, me cilën grimcë të saj…

T’mos më duash ti, si unë ty, është më mirë
Përveç në do zemrën jashtë vetes ta gjesh
Ta dish që, ta dëgjosh, është aq e vështirë
Të trokosë diku tjetër, por ti dhembjen ta ndjesh

Por si unë ty, në’ do t’më duash ndonjëherë
Ma thuaj! Nëse jo me fjalë, bëje me sy
Pa t’më shihje ta ribëja nga grimcat zemrën të tërë
Ta ndjesh më pas se si rrah vetëm për ty…

Më mirë ti t’mos më duash, siç të dua unë ty…

 

VETËM PËR NJË…

Era këtu po fryn me tërbim
Nuk di në fryn ‘dhe tek ti atje larg
E di që s’mund të më vish në takim
Ndaj s’të lë të më mungosh në varg

Era e tërbuar ndoshta do pushojë
Dhe prapë s’e di në do të vish ti
Si t’ia bëj ndryshe, si të të takoj
Përveç pritave të vëna në poezi

Ndoshta ti kurrë s’do të vish
Dhe s’di në ndjen mall larg meje tutje
Ndaj në vjershat e ndezura, që ta dish
Të kam dhëne e të jap miliona puthje

Miliona në vargje, gjer në pambarim
Qê mes rreshtash e shkronjash të më ndjesh mua
Por të gjitha do të t’i falja, pa asnjë ngurrim
Vetëm për një prekje të buzëve tua…

 

NË PRITJE…

S’të kam parë moti të dukesh këtej
Përveç portretit tënd të gdhendur në hënë
Që nga çasti që diteve u doli përtej
Derisa ja, vite te gjata u bënë

Ndoshta më  kurrë s’do të shfaqesh
Gurëve të vjetër siç bëje dikur
Përveç si një grimcë qielli të përplasesh
Në mua, të më digjesh si tatuazh në lekurë

Ti mund dhet’mos i ndjesh flakët e zjarrit tim
Qê s’del rrëke t’mi shuajë dot këtu
Ndaj hyjnitë sikur më kanë vënë për ngushëllim
Një spektakël perëndimi thellë syve tu

Për t’u zgjuar më pas ndoshta bashkë diku…

 

DHEMBJE QIELLI

Saherë shiu nis’ të bjerë
Nuk e shoh dot qiellin, të zi
Them:-ç’vrimë t’i jetë bërë, ç’humnerë
Që t’vjellë më pas tërbim’n e tij

Aq qesharake, gjithë ai qiell të qajë
Herë me buçimë e herë në qetësi
Dhe kur e hirta bëhet e kaltër pastaj
Them:-Ç’deshi që ra tërë ky shi…

Ndoshta edhe qielli një dhembje ka
Dhe s’na e thotë ndryshe, përveç me shi
Si une që sahere shi bie, si ky sot që ra
Mbyll sytë e lagur, drejt teje vi’…

Kështu më ndodh saherë bie shi…

Besim Zymberi