SHARE

Shkruan: Qëndrim Badalli

Se opozita zhvillon aktivitet brenda dhe jashtë Kuvendit, kjo është parë e dëgjuar kudo dhe kurdo, por se opozita ikë nga Parlamenti duke ushtruar aktivitetin e saj politik ekspluzivisht në rrugë kësaj është vështirë t’i gjendet precedanti.

Të ikësh nga Parlamenti do të thotë të tradhëtosh. Të tradhëtosh sepse qytetarëve u ke premtuar se do i përfaqësosh në Kuvend, pse jo edhe në rrugë, por jo vetëm në rrugë.

Të ikësh nga Parlamenti do të thotë të bëhesh apartiak, sepse Kuvendi njeh partinë si mekanizëm të politikbërjes ndërsa rruga me molotov njeh banda si rrezik të sigurisë shtetërore.

Të ikësh nga Parlamenti do të thotë të besh grusht-shtet ne rrafshin juridik, sepse ju po refuzoni institucionin më të lartë judiko-politik të shtetit, ju po largohuni nga gjendja shtetërore drejt gjendjes para-shtetërore, të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve; me molotov, me gaz, me gur, dhe me cdo mjet tjeter parahistorik dhe paracivilizues.

Se Shqipëria ka probleme kjo nuk do diskutim, por problemet me të cilat përballet Shqipëria i ka pothuajse secili shtet, ne vecanti në Ballkanin Perendimor. Korrupsioni, nepotizmi, mirëqenia e dobët sociale, janë probleme të njohura gjithëandej. Sigurisht se përgjithësimi nuk e shfuqizon faktin dhe se këto probleme duhe të zgjidhen, mirëpo këto janë krejt të pamjaftueshme që të shërbejnë si bazë për ikje nga Parlamenti, për dhunime institucionesh. Demokracia ka fushën dhe rregullat e lojës, pra ka institucionet si fusha dhe dialogun, konzenzusin dhe kompromiset si rregulla.

Ikja nga Parlamenti është veprim ekstremist politik, por përse opozita në Shqiperi ndermorri këtë hap?

Shqipëria është para një momenti historik që ka të bëjë më dy procese të ndërlidhura njëra me tjetrën: Përmbyllja e Reformës në Drejtësi si dhe hapja e negociatave për statusin kandidat të BE-së. Arritja e këtij objektivi do ta mbante Ramën në pushtet edhe për një dekadë tjetër.

Veprimet e opozitës në Shqipëri nuk janë për t’i penguar zgjedhjet lokale të Qershorit dhe as për ta ndalur Reformën në Drejtësi, këto janë shkaqet por jo shkaku. Shkaku i njëmend është rrëziku që nëse Rama mbyll dy proceset pararele që po ndodhin në Shqipëri, aty mbaron loja dhe opozita merr një goditje përfundimtare.

Ata e dinë fare mirë se në politik, fituesi nuk përcaktohet ditën e zgjedhjeve dhe pak në fushatën zgjedhore, por në aftësinë e kapitalizimit të momentumeve politike qe gjenerojnë trende apo frymë ta caktuara dhe që më pas kanalizohen në kutitë e votimit. Në këtë pikë gjendet Shqipëria.

Prandaj opozita është lëshuar në një sulm kaq frontal dhe të ashpër sic shprehet Basha “për jetë a vdekje” sepse mbyllja potenciale e dy procesve do ta thellonte edhe më shumë diferencën edhe ashtu të madhe mes PS-së dhe PD-së. Opozita në Shqipëri nuk është duke luftuar për rikthim në pushtet, të cilin e ka të pamundur, ajo po lufton për ruajtjen e diferencës – për mbijetesë politike.

Kushdo mendon se opozita me këtë politik ka arritur përkrahje ndërkombëtare, gabon. Asnjëherë, askush nga bota perëndimore, as në Shqipëri dhe askund tjetër, nuk mund të përkrah dhunën si mjet politik. Kjo është pamundësi absolute. Dhuna si mjet politik është në kundërshtim të plotë me doktrinën moderne perëndimore mbi qeverisjen dhe shtetin. Ambasadat e fuqishme atje kanë dënuar edhe dorëzimin e mandateve edhe protestat e dhunshme, asnjëra prej tyre nuk i ka kërkuar Ramës as shtyerjen e zgjedhjeve dhe as dorëheqjen.

Kushdo mendon se opozita mund të përsëris 97-tën, gabon. Shqipëria sot përpos që ka institucione shumë më të mira të sigurisë, ajo është edhe anëtare e NATOS, prandaj dëshira e dikujt që të ketë përplasje civile është vetëm një ëndërr e keqe e atyre që sa më shpejt përfundojnë ëndërrimin me sy hapur aq më mirë bëhet për ta dhe për Shqipërinë.

Kushdo mendon se opozita ka bllokuar punën e shtetit, gabon. Një opozitë që është pakicë në Kuvend nuk mund ta bllokojë legjislaturën e vendit dhe as funksionimin në polet tjera. Parlamenti po funksionon, Presidenca po funksionon, Kryeministria po funksionon. Opozita nuk ka bllokuar madje as akset rrugore që pretendonte se do i bllokonte.

Opozita atje ka vetëm një sukses: Ka prodhuar krizë politike. Dhe kjo është bërë për t’ia shtuar ekstremit të djathtë në Francë edhe një argument kundër Shqipërisë. Ata kanë nuhatur skepticizmin francez për zgjerim të BE-së dhe nga brenda po punojnë në atë rrugë; në krijimin e sa më shumë telasheve, krizave politike, destabilitetit, polarizimit kombëtar dhe gjithcka tjetër në mënyrë që ta fuqizojnë edhe më shumë tollovinë që gjendet në vet bllokun  e BE-së.

Opozita në Shqipëri duhet t’i kthehet arsyes, prandaj Parlamentit dhe Zgjedhjeve. PD dhe LSI kanë dhënë kontribut jo të vogël në Shqipërinë post-komuniste dhe nuk e meritojnë të përfundojnë ashtu sic po rrëzikojnë të përfundojnë: Si gërmadha politike që nuk i duhen as vetes dhe as armikut, dhe jo më Shqipërisë./filozofia.al