SHARE

Zëri I Zemrës Së Trëndafilit

Mbi dheun tim mbretëron errësira, e keqja dhe padrejtësia. Të gjitha llojet e insekteve shëtitin nëpër fletët e mia dhe qëllimi i tyre është që të më grabitin ushqimin, të më shnderojnë dhe në fund të më vrasin. Kur vijnë tek unë, hakërriten, ndërkryhen, ndërsehen si të tërbuar. Secili prej këtyre insekteve mund të vërë dorë mbi ushqimin tim dhe mbi jetën time.

Çdo ditë e çdo natë vijnë e më pickojnë farën, herë-herë më këpusin nga ndonjë fletë: kështu shëmtohet e tërë bukuria ime. Disa prej këtyre ngrehin foletë mbi fletët e mia dhe më rëndojnë aq shumë, sa që nuk kam mundësi të marr as frymë: Ndalojnë edhe rrezet e diellit, që të mos vijnë deri tek unë për të më ngushëlluar. Njeriu, që është më i dashuri për mua, më afrohet me gëzim të më marrë për t’i zbukuruar tryezën edhe kraharorin, por – eh! – kur më gjen të venitur prej insekteve, ikën duke më lënë përsëri në mjerim. Unë, mbreti i tërë luleve dhe më i dashuri për njerinë, sot po shtypem, prej insekteve; unë, që jam lindur dhe rritur prej njeriut e për njerinë, sot ai nuk mund të më gëzojë, as unë nuk i gëzohem atij.

Jam i shtypur, i ndrydhur, më kanë kacafytyr, sytë më zgurdhullohen e s’mar dot frymë. Jeta ime është një skëterrë e vërtetë e unë vetë, një i dënuar i përjetshëm i kësaj skëterre. Këto mjerime edhe këto vuajtje cila lule i ka duruar? Asnjë! Po unë a do t’i duroj? Unë, që kam luftuar për shumë kohë me dimrin e pamëshirshëm e me çdo armik tjetër pa pasur aspak frikë e i shtyrë vetëm nga një duf, vetëm nga një ideal: të ruaj Lirinë time, – unë, pra, sot të duroj këtë robëri?! Unë, që rri në kraharorin e çdo njeriu, të mbaroj i skllavëruar në kthetrat e insekteve? Unë, që ua ruaj kujtimin e përmallshëm të dashurve dhe që u ngjall nostalgjinë pleqëve për kohën që shkoi e vajti, unë, pra, tani të pranoj të mbulohem i gjallë në dhe?

Unë t’i zbukuroj me gjemba kryet e virgjëreshave, që janë munduar të më rritin me duart e tyre të bardha dhe të më ledhatojnë në gjirin e tyre tërë musht dimër e verë, në ditë dielli e ditë shiu, në kohë të mirë e në kohë të mvrejtur? Këtë poshtërsi mund ta bëjë një lule tjetër, por jo unë, jo, o insekte të tërbuara! Në krahërorin tim mbaj zemër burrëreshe e trime. Zemra ime rreh dhe zëri i saj është: Liri! Liri! … Ky zë është një mijë herë më i fortë se zëri i zemrës e i shpatës suaj, o armiq!

Zëri i zemrës sime është zëri i njerëzve, është zëri i të rinjëve! Ky zë buron nga thellësirat e shekujve dhe jehona e tij ka për t’u ndjerë për jetë të jetëve, se ky është urdhëri i natyrës, ky është urdhëri i drejtësisë. Ideali i zemrës sime, që është ideali për liri, do të plotësohet, do të njëmendësohet, sepse për mua është bërë gati Kurora e Natyrës e Gjiri i Virgjëreshave!

Shkëputur nga “Kurora e Rinisë” – Strejo Spasse