SHARE

1.

Dalëngadalë edhe ti po plakesh,
Sot nuk je ajo që ishe dje!
Se si lindin ca përrenj në faqe,
Që ti e ke kot që po m’i fsheh!

Çdo përrua ëndrra të ka marrë,
Tok me to lumenjve është derdhur.
Nga kjo botë nuk ik kush vjen më parë,
Por ai që dashuri s’ka gjetur!

Unë të shoh kur ti nuk e ke mendjen,
Më trishton mënyra si sheh ti.
Se rininë e ke dhe s’e ke tënden,
Siç ke qenë s’mund të jesh tani!

Dalëngadalë edhe ti po plakesh,
Por tek unë e re ke për të mbetur.
Me përrenjtë e tu që ke në faqe,
Je ajo që askund s’e kam gjetur!

 

2.

I kam ca gjëra që më kanë mbetur pa thënë,
I kam ca pengje që po më mundojnë prej kohësh.
E kam një shkëmb që në majë të malit duhet shpënë,
I kam ca mbrëmje që ti do kërkosh t’i shohësh!

E kam një çast që më shkeli syrin, po u largua,
E kam një ulërimë që s’e kam lëshuar ende.
E kam një vajzë që s’i thashë dot “të dua”,
Ma tha ajo, po unë e di që gënjente!

I kam ca gjëra që duhen thënë patjetër.
I kam ca njerëz që shpesh më zënë rrugën.
I kam ca mëkate që më ngacmojnë zemrën,
Që erdhën tek unë or nuk e di se ku humbën!

I kam ca gjëra që s’i kam thënë ende.
Është ky shkaku që dua edhe ca të rri!
Në botën tonë të vogël do më pëlqente,
Që edhe armiqtë t’i vrisja me dashuri!

Skënder Rusi