Në ballkonët e lagjes time nuk këndohet më. Pas grilave të ulura shquaj vetëm feksjet kaltëroshe të dritave të televizorëve. Edhe duartrokitjet janë zhdukur. Nga ndonjë dritare që s’dihet ku, jehon ulërima e një të ngujuari që i ka sosur rezervat e vetëkontrollit por mbetet pa përgjigje.

Euforia e frikës ia ka lënë vendin depresionit. Të rriturit përpiqen të kapen pas asaj që njohin. Kush më parë lexonte, lexon edhe tani. Kush bënte gjimanstikë vijon ta bëjë. Por tanimë pakkush ka fuqi të mësojë një zakon të ri. Fëmijët për të cilët nuk ka asnjë dekret qeverie, kane reshtur së pyeturi dhe enden në botën e tyre.

Në shtëpinë tonë, Diego shtatëvjeçar ka shpikur një supervirus hero që vret gjithë viruset e tjerë. Kushedi pse e ka quajtur Tax. Infektimi që ishte risia e lojës, tashmë është jeta vetë. Po fillojnë të tingëllojnë bombastikë termat me të cilin ngulmojnë ta përcaktojnë: epokal, apokaliptik, biblik. A thua se realiteti ka nevojë per efekte speciale?

Jemi mësuar të provojmë emocione dhe t’i durojmë edhe kur janë të dhunshme, me një kusht që të zgjasin për një periudhë të shkurtër. Por kjo gjendje po zgjat prej shumë kohësh dhe nuk ka datë skadence dhe as dihet si do përfundojë. Faza e parë e ekseprimentit social mund të konsiderohet e mbyllur. Kemi hyrë në të dytën, e megjithatë ajo që ka më shumë rëndësi është e radhës. Dëshpërim apo çlirim. Për këtë na vjen në ndihmë Shekspiri i “Shtrëngatës”: e shkuara është prologu, e ardhmja është në dorën tuaj. Me kushtin që ta lani dhe dezinfektoni./corriere de la serra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu