Gjysmë shekulli para se termi “afrikano-amerikan” të hynte në fjalorin e përditshëm, shkrimtari i njohur për humorin e hollë tregonte mbi fëmijërinë e tij dhe shoqërimin me njerëzit e racës së zezë.

“Të gjithë zezakët ishin miqtë tanë; me bashkëmoshatarët ishim shokë të ngushtë. Në fakt, ishim dhe nuk ishim shokë; ngjyra e lëkurës kishte hequr një vijë për të cilën të dyja palët ishin të ndërgjegjshme dhe që e bënte të pamundur bashkimin tonë. Ne kishim një mik besnik, aleat dhe këshilltar, një mesoburrë skllav, i ndershëm dhe me zemër të madhe.

Nuk e kam parë për gati çerek shekulli dhe prapë se prapë e kam ndjerë shpirtërisht dhe e kam bërë në disa raste personazh të librave të mi, me emrin e vërtetë ose me emrin Xhim. Mirënjohja dhe simpatia ime për racën e zezë nuk janë zbehur, madje u kanë rezistuar kohës për 60 vite. Fytyra e zezë për mua sot është po aq e mirëpritur sa atëherë”.

Rrëfenjat e Twain mbi këto marrëdhënie komplekse janë sa të këndshme, aq edhe të dhimbshme sa i përket mënyrës se si fëmijët absorbojnë kulturën dhe normat shoqërore.

“Në kohët e shkollës nuk kisha asnjë problem me skllavërinë. Nuk e kuptoja se ishte gabim. Askush nuk e futi në vetëdijen time një gjë të tillë: gazetat lokale nuk shkruanin asgjë kundër saj; kleriku i zonës thoshte se zoti e kishte aprovuar”.

Edhe pse Twain nuk kujton raste të abuzimit me skllevërit në qytetin e tij, ai kujton historinë e një djali dhe se si një vërejtje nga e ëma i hapi sytë mbi mizorinë e skllavërisë.

“Ne kishim një djalë të vogël skllav. Ai ishte një shpirt i qeshur, krijesa më e zhurmshme që kisha parë ndonjëherë. Gjithë ditën e kalonte duke kënduar e fishkëllyer. Ishte e tmerrshme! Një ditë e humba durimin dhe vajta iu ankova sime mëje dhe iu luta që ta bënte ta mbyllte gojën. Asaj i shkanë disa pika loti nëpër faqe dhe më tha: “Kur ai këndon tregon se nuk kujton gjë, nuk mendon gjë. Krijesa e gjorë nuk do ta shohë më kurrë nënën e tij. Por të ishe më i rritur do të më kuptoje dhe zhurma e atij fëmije të vetmuar do të të bënte të lumtur”.

Ishte një fjalim i thjeshtë. Ime më nuk shquhej për fjalë të mëdha, por mjaftuan ato pak fjali që zhurma e tij mos të më shqetësonte më”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu