NJË GRUA

Mund ta duash një grua veç një çast,
E të ikësh prej saj, pa u shuar malli.
Po vite më vonë të bësh me të pakt,
Të të shfaqet përballë, si e pe së pari.

Në fund të jetës të të vijë dhe njëherë,
Me po atë kurm dhe me po ato linja.
E t’i flasësh kot, si ca burra të tjerë,
Të braktisa, që të të kujtoja pa thinja.

Të braktisa se doja të të ruaja si ishe,
Ndërsa atë që ke pranë shikon në sy.
Një grua mund ta duash dhe ndryshe,
Tani më thuaj:- Po ty, si të desha ty!?

 

BALADË E BIJËS QË SE KISHA

Mundet që në jetë, i djegur nga malli,
Të ndjekësh veç një grua në çdo skaj.
E skalitësh në sy, si tu shfaqë së pari,
Imazhin e gështenjtë, të flokëve të saj.

Kur thinjet një fije, dy, a ca më tepër,
E nëna nisë bëhet një grumbull reshë.
Të vjen dhembshurisht një grua tjetër,
Kreshtën e hirtë nga thinjat e zhveshë.

Ndërsa u frynë flokëve që të bëjnë zë,
Kur bashkë me to të shtrihet në brinjë.
Ti fillon e i numëron fijet, një nga një,
Ashtu të bukur, të bukur pa një thinjë.

Ndoshta nuk e kupton se pak nga pak,
Ajo pllajë e butë bëhet bokërimë hëne.
Dhimbjes së ikjes i shtohet një shkak,
Kujt t’ia lë flokët që kisha në mendje?

Dhe atje ku të jem, i djegur nga malli,
Një grua do ndjek sa të thinjet e gjitha.
Por flokët do shfaqen si i pash së pari,
Tek ty është gruaja e bija që se kisha!

 

Dy gjysma dashurish.

Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,
Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.
Një gjysmë dashurie nga ty e vrarë,
Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.

Por sot të ndara janë ato, veç e veç,
Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.
Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,
Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.

Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave dhe pjesën time të gjallë.

– Sokrat Habilaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu