“Shumë zili që duken pastër profesionale, kanë në të vërtetë burim seksual. Njeriu që është i lumtur me martesën dhe me fëmijët e tij, vështirë se do t’ua ketë zili njerëzve të tjerë për pasurinë e tyre më të madhe dhe për suksesin, gjithnjë përderisa do të ketë mjaft mjete në dispozicion që fëmijët e tij t’i qojë në rrugë të drejtë ashtu siç e mendon më së miri.

Thelbi i lumturisë njerëzore është shumë i thjeshtë, aq i thjeshtë as që njerëzit e sofistikuar mezi e pranojnë se çka u mungon me të vërtetë. Gratë të cilat e shikojnë me zili çdo grua të veshur bukur, mund të thuhet me siguri se nuk janë të lumtura në jetën e tyre instiktive. Lumturia instiktive është e rrallë në botën anglisht-folëse, e sidomos mes grave.

Në këtë pikpamje, duket se qytetërimi ynë është në rrezik që nga tërbimi i zilisë të rrokulliset në shkatërrim në orgjinë e urrejtjes. Në kohë të vjetra njerëzit u’a kanë pasur zili vetëm fqinjëve, sepse pak gjë kanë ditur për të tjerët. Sot, nëpërmjet arsimit dhe shtypit din shumçka në mënyrë apstrakte për shtresat e gjera të shoqërisë, kurse midis tyre nuk e kanë asnjë të njohur.

Nëpërmjet filmave mendojnë se e dijn si jetojnë të pasurit, nëpërmjet shtypit e mësojnë se çfarë qëllime të këqija kanë popujt e huaj, kurse nëpërmjet propagandës njihen me veprimet e rrezikshme të të gjithë atyre, lëkura e të cilëve ka tjetër ngjyra nga lëkura e tyre. Të vërdhët i urrejnë të bardhët, të bardhët i urrejnë të zezakët dhe kështu me radhë. Tërë kjo urrejtje, mund të thoni se është nxitur nga propaganda, por ky do të ishte një shpjegim i cekët.

Pse propaganda është më e suksesshme kur nxit urrejtjen se sa kur përpiqet të zgjojë ndjenja miqësore? Shkaku është i qartë: sepse zemra e njeriut, ashtu siç e ka përpunuar qytetërimi modern, më tepër është e prirur për urrejtje se sa për miqësi. Është e prirur për urrejtje sepse është e pakënaqur, sepse ajo e ndien thellë, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, se disi e ka shkatërruar qëllimin e jetës, se ndoshta janë të tjerët dhe jo ne vetvetiu, që i kanë siguruar vetes gjëra të mira të cilat natyra i’a ofron njeriut për t’i gëzuar.

Shuma pozitive e kënaqësive në jetën e njeriut modern është padyshim më e madhe sesa që është në bashkësitë primitive, mirëpo për këtë arsye është rritur edhe vetëdija për këtë se mund të ishte shumë më e madhe. Kurdoherë që të shkoni në kopshtin zoologjik, t’i shikoni në sy majmunët, kur nuk shfaqin përformanca gjimnastikore ose kur nuk thyejnë arra, ata kanë një shprehje pikëllimi të tendosur. Ju duket se dëshirojnë të bëhen njerëz, mirëpo nuk e kanë zbuluar fshehtësinë se si ta arrijnë këtë. Në rrugën e evolucionit, ata kanë marrë një rrugë të gabueshme, kushërinjtë e tyre kanë shkuar përpara ndërsa ata kanë ngelur prapa.

Diçka nga tendosja dhe ankthi duket se është future në shpirtin e njeriut të civilizuar. Ai e di se pranë dorës së tij ekziston diçka më e mirë nga ajo që ai e zotëron vetë, mirëpo nuk e di ku ta kërkojë dhe si ta gjejë atë. Në dëshpërim, ai tërbohet kundër bashkëshokut të tij, njeriut, i cili është poashtu i hutuar dhe i palumtur.

Ne kemi arritur në një fazë në evolucion e cila ende nuk është fazë përfundimtare. Duhet të kalojmë domosdo shpejt nëpër këtë gjendje, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, shumë prej nesh do të shkatërrohen në rrugë e sipër, kurse të tjerët do të jenë të humbur në pyllin e dyshimit dhe frikës.

Zilia pra si një e keqe çfarë edhe është, me efekte te tmerrshme, nuk është krejtësisht vepër e djallit. Ajo është pjesërisht shprehje e dhimbjes heroike, e dhimbjes së atyre që ecin verbërisht nëpër errësirë, ndoshta deri tek një vendpushim më i mirë, ndoshta drejt vdekjes dhe shkatërrimit. Që ta gjejë rrugën nga ky dëshpërim, njeriu i civilizuar duhet ta zgjerojë zemrën e tij siç e ka zgjeruar trurin e tij. Ai duhet të mësoja ta kapërcejë vetëveten, dhe duke e bërë këtë, do ta arrijë lirinë e Gjithësisë.”

– Bertrand Russell, “Pushtimi i Lumturisë”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu