ELEGJI…

(Sipas stilit të Çajupit)

Në ç’vend kemi lerë
Krenarë dhe të dhjerë!…
Në Shqipëri !…

Ku të hedhin më shumë baltë
Dhe fajdetë të grinë paratë ?
Në Shqipëri !…

Ku ka vlerë më shumë gomari
Se shkenctari apo shkrimtari
Në Shqipëri!…

Ku ka bakër, krom dhe ar’
Po s’ke ujë as për t’u lar’
Në Shqipëri!…

Ku jetojmë aq të gëzuar
Xhepat bosh – derën e blinduar
Në Shqipëri!…

Ku qeveria punon me banda
E na mban gjallë veç kontrabanda?
Në Shqipëri!…

Ku i veshin në kokë çorapet?
Ku kallashi lan hesapet
Në Shqipëri!…

Ku s’punojnë hiç Kombinatet
Ku hajdutë ngremë pallatet!?
Në Shqipëri!…

Ku pa punë fitohet leku?
Ku pëllcet kërrcet dyfeku?
Në Shqipëri!…

Ku hedh valle sërbi e greku
Ku të luan tepeleku!…
Në Shqipëri!

Ku spiuni bën transparentin
Ku vampiri bën Parlamentin
Në Shqipëri!…

Ku t’a vrasin Deputetin?
Ku s’e pjerdhin Presidentin !?
Në Shqipëri !

Ku ka një Komb e nuk gjëndet i dytë
Që ban sherr me vehten, e vehtes i nxjerr sytë
Në Shqipëri !…

Ku vishet populli ma trim i botës
Me plaçka të vdekurish të kurvë Europës!?
Në Shqipëri!…

– Agim Doçi

 

NOSTALGJI…

Më rrodhën lotët nga sytë e shpirtit,
Ky mall i çmendur më torturoi.
Më mirë në kryq, në vend të Krishtit,
Sesa i vetëm, veç të gjalloj.

Ky shpirt i brishtë që preket lehtë,
Nga fjalë e rëndë dhe xhelozia.
Më prishi punë gjithmonë në jetë,
Më bëri sterrë ditët e mia…

Po çfarë kanë njerëzit që egërsohen?
E çfarë kërkojnë më shumë nga unë?
Ata që s’mund të dashurohen,
Përse nuk ikin, por prishin punë?

Më dhemb gjithë trupi, më dhemb gjithçka,
Sa fort më dhemb sot gjoksi im…
Kjo botë e madhe plot vende ka!
Po dhembja ime nuk gjen shërim…

Unë them të iki, t’i lë të gjitha !
Të marr me vehte veç mallin tim.
Ta bëj qivur, të shkoj nga isha,
Atje i vetëm, dhe në harrim…

Pastaj të kthehem pas qindra motesh,
Kur bota ndoshta do ketë ndryshuar.
Të lyp lëmoshë në mes metropolesh,
Si shpirt i brishtë dhe i dashuruar.

Të marr imazhin e asaj që dua,
Të shkoj tek bliri me gjel të egër…
Të vij pas meje, ajo me mua,
Dhe të këndojmë këngën e vjetër…

“Dua të bëhem paksa i krisur,
Dua të bëhem dhe lot tek syt’
Dua të bëhem dhe gjum i prishur,
Dua të bëhem imazhi i yt…”

– Agim Doçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu