Autor: Arian Musa

Para se të futesha në temë po e shoh të duhur të bëjë një vërejtje lidhur me bibliotekën personale. Nga praktika ime nuk e kam pa aspak të qëlluar që rafti i librave të vendoset pas shpinës apo përballë tavolinës së punës. Në kundërshtim të kësaj praktike do të ju sugjeroja që librat të vendosen karshi jush apo prapa tavolinës së punës që të ju vrajë vazhdimisht syrin prezenca e librit, e kështu të mund të nxiteni sadopak që t’i shfletoni ato. Për arsye se nga përvoja ime kam vërejtur që libri si zbukurues i dhomës mund të jetë shumëfish ma i dobishëm nëse e shfletojmë.

Pra, nëse jeni lodhur nga monotonia, politika, kotësia e përdorimit të rrjeteve sociale dhe nga argëtimet vizuale, atëherë do të ju sugjeroja një argëtim më  klasik, siç mund të jetë po kjo që bëra vërejte; leximi i një libri.

Është një libër që kohëve të fundit më ka argëtuar dhe më ka ndihmuar të shoh botën më këndshëm se dje, “Pelegrini i Kompostelës”, një roman i shkruar me një gjuhë mjaft artistike dhe me një veçanti të shprehurit mistik ashtu siç di Paulo Coelho. Asnjë nga veprat e tija që kam lexuar nuk mbetet bosh, gjithherë na e zbulon diçka të bukur që na është fshehur nga jeta. Coelho është një autorë që përmes ngjarjeve na e zhvesh lakuriq ëmbëlsinë e jetës që shumë lehtë mund ta kemi harruar se si duhet shijuar atë. Nga librat që i kam lexuar nga autori, ashtu me radhë do të i përmend me nga një koment të mbresave të mia personale, përveç romanit që kam zgjedhur për temë, të cilit do t’i jap një fokus më të veçantë.

“Djalli dhe zonjusha Prym” është libri i parë që më ka njoftuar me autorin, i cili na mëson atë që mospasja e lakmisë së sëmurë për pasuri dhe pushtet nuk është premtuese e asaj që e liga nuk është brenda nesh. Të qëndruarit larg rrezes tërheqëse të këtyre forcave është shumë lehtë të bindet vullneti për rezistencë. Gjithashtu ky pohim se të gjithë jemi lakmitarë, sipas romanit nuk e bënë njeriun ekskluzivisht të keq, por e bënë bartës edhe të së mirës dhe të së keqes. Përfundimisht sipas Coelho-s e liga është brenda çdo individi, andaj është përgjegjësia e gjithsecilit nëse do ta lejojë apo jo që të zgjohet ajo ligësi e të marr kontrollin mbi ne.

“Dorëshkrimi i gjetur në Akra”; qysh në titull autori nxitë një zbulim reflektues brenda nesh, ky dorëshkrim i gjetur duhet të ketë ndonjë të fshehtë që do të na hap drejtë një të vërtete. Romani është një ngjarje që zhvillohet pikërisht para se të ndodhë një dyndje e popullit të Jerusalemit, pra, pak para se të humbej çdo mbrojtje që ju sigurohej popullit nga pushteti i vendit. Është mobilizimi i fundit ‘i shpirtit’ të popullit për përballje me të ligën që i pret, gjegjësisht është një mësim i fundit nga një i moshuar i urtë që ju flet mbi jetën dhe të zotuarit për të jetuar nën përgjegjësin personale morale. Nëse vërtet përballjet dhe ngjarjet në jetë mund të na kenë humbur sensin, mbi të kuptuarit se çfarë është e mirë dhe e drejt, atëherë veç kujtohuni që mençuria e vërtetë buron nga vet dashuria.

“Alkimisti”; Është romani që ka ndryshuar shumë jetë, e që paraqet rrugën jetësore të njeriut që nxit në gjetjen e thesarit tonë vetjak. E gjithë jeta jonë merr kuptim vetëm përmes gjetjes së thesarit tonë. Varfëria e shpirtit njerëzorë fillon nga humbja e po këtij thesari, e jo nga mos pasja e një luksi. Kënaqja e ambicies dhe e lakmisë nuk janë garantuesit e përmbushjes së fatit individual. Maktubi* si fati i përcaktuar njerëzor apo përmbushja vetvetes arrihet vetëm përmes gjuhës universale. Pra, dashuria si gjuhë universale apo bashkë dyzimi i zemrës me botën është letra shkëmbyese me vlerë që garanton lumturinë njerëzore me botën.

“Pelegrini i Kompostelës” është romani i parë i shkruar nga autori, i cili, i paraprinë madje edhe aventurës së “Alkimistit”. Pelegrinazhi që përshkruhet në roman bazohet në përvojën e vet autorit, i cili e kishte këtë përvojë një vit më herët para se të shkruante librin, ku e paraqet kërkimin e tij shpirtëror në zbulimin e të panjohurës dhe të misterit të jetës. Ngjarja kryesore zhvillohet në Shën Zhak të Kompostelës, në Spanjë.

Cytja e çdo individi është të mendohet se mos vallë misteri i botës gjendet tek sektet fetare dhe grupacionet e fshehta, apo në është i fshehur në ndonjë vend të panjohur ndonjë doracak udhëzues që deshifron sekretin e ekzistencës dhe qëllimin që duhet të kemi në jetë. Të gjitha këto nxitje kanë një bazë mbështetëse që nxisin krijimin e mitit për sekretin e humbur të jetës. Ka qindra e mira sekte të ndryshme në botë që burojnë dhe e paqësojnë pikërisht këtë ndjesi të brendshme që buron brenda nesh. Apo siç thotë autori në parathënien e librit:

“Shumë kohë pas kësaj ndarje, e kuptova se nga kjo përvojë kisha mësuar shumë gjëra. Sot, kjo lehtësi e të kuptuarit është gjëja më e çmuar që kam: e jashtëzakonshmja gjendet në rrugën e njerëzve të zakonshëm. Kjo më lejon të kapërcej gjithë rreziqet për të dal në krye të asaj që besoj.”

Që të zbulosh të jashtëzakonshmen për të cilën të flet ndjesia e brendshme duhet hequr dorë nga vetëmashtrimi, i cili thotë se duhet të jetë një i zgjedhur dhe ruajtës i të fshehtave të botës, dhe nga ngashënjimi për zbulimin e mrekullive. Duhet hequr dorë edhe nga pretendimi i arritjes së fuqisë që zotëron mbi botën ngase fuqia e vërtetë është në botë dhe për botën.

Pelegrinazhin e nis Paulo me qëllim për të fituar fuqinë e RAM-it nën urdhrin e vëllazërisë së njohur me emrin Tradita, dhe nën shoqërimin e dishepullit të tij, Petrusit. Gjitha pengesat dhe mësimet nga dishepulli janë veçse orientuese, për të ngjallur brenda Pablos intuitën dhe veprimin sipas saj. Tek e fundit, cili është mësimi tjetër që mund të ja bëjmë dikujt pos të mësuarit se si duhet menduar me kokën e tij? – Nuk e di të ketë ndonjë mësim më të lartë se sa të thirrurit e mendjes, nuk e di të ketë ndonjë krenari më të lartë për një dishepull se sa arritja e këtij qëllimi në ndjekësin e tij! Në instancën e fundit ky është mesazhi që përçon ky rrugëtim i tyre.

Ushtrimi i farës, ushtrimi i shpejtësisë, ushtrimi i mizorisë, rituali i lajmëtarit, zgjimi i intuitës, rituali i globit blu, ushtrimi i të varrosurit për së gjalli, frymëmarrja e RAM-it, ushtrimi i hijeve, ushtrimi i dëgjimit, dhe ushtrimi i valles janë gjitha këto ushtrime që na ndihmojnë në arritjen e zbulimit të jashtëzakonshmes në rrugën e njerëzve të thjeshtë.

Para se të jepja përfundimin e recensionit do e ndërlidhja edhe një libër tjetër “Dyzet rregullat e dashurisë” e autores Elif Shafak, e cila na shpalos botëkuptimin e Rumiut dhe Shamsit. Të cilët ndryshojnë dukshëm botëkuptimin muhamedan duke e kthyer mrekullinë dhe fuqinë e zotit brenda zemrës së njeriut. Rumiu na thotë që është vetëm një rrugë drejt zotit, e ajo është zemra. Është vetëm një pushtet i pakufishëm, i cili po ashtu është zemra. Andaj heshtja është përafrimi më i afërt me zotin sepse heshtja zgjon gjuhën e zemrës, e cila njëson gjithçka në një pikë.

Edhe një herë në një frymë tjetër nga Paulo Coelho, jo si një mistik i skajshëm por ngjashëm si Rumiu shohim fuqinë e Zemrës dhe gjuhën e dashurisë që ka pushtet në gjithçka. Vetëm pasi të kemi pranuar jetën dhe fatin tonë brenda saj, ne, do të jemi të gatshëm të ndjejmë dashurinë që bredh nëpër botë. E cila nuk është veçse një Eros (dashuria mes çiftit) as veçse një Filos (miqësia) por një Agape (dashuria që bredh nëpër botë), e cila është edhe Eros edhe Filos edhe më shumë se të dyja.

Për të arritur Agape-në që na sugjeron Paulo do të nënvizoja tre rregulla të arta; pranimi i fatit njerëzor, rrugëtimi vetjak drejt vullnetit dhe  harmonizimi i vullnetit tonë me botën./filozofia.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu